Intro to Transhumanism

Transhumanizmi është një mënyrë e re e të menduarit
për të ardhmen që bazohet në premisën se njeriu nuk
përfaqëson fundin e evolucionit tonë, por, pëkundrazi,
fillimin e tij. Transhumanistët besojnë se do të jetë
e mundshme dhe e dëshirueshme të ndryshohet në mënyrë
fundamentale situata njerëzore nëpërmjet zbatimit të
arsyes, duke përdorur teknologjinë për të eliminuar
plakjen dhe për të përmirësuar shumë intelektin e
njeriut, fuqitë e tij fizike dhe psikologjike.
Transhumanistët besojnë se gjërat mund të jenë shumë
më mirë, por kjo nuk do të thotë se e ardhmja më e
mirë është e pashmangshme. Gjithashtu, jemi duke
punuar për t’i kuptuar më mirë rreziqet e mundshme që
mund të shfaqen si pasojë e fuqive tona të reja
teknologjike.

Transhumanizmi rrjedh pjesërisht nga humanizmi.
Humanistët besojnë se njerëzit janë me rëndësi, se
individët janë me rëndësi. Ndoshta nuk jemi të
përsosur, por ne mund t’i ndryshojmë gjërat për së
miri duke përkrahur mendimin racional, lirinë,
tolerancën dhe demokracinë. Transhumanistët pajtohen
me këtë, por ata gjithashtu theksojnë atë që ne kemi
mundësi të bëhemi. Ne mund t’i përdorim mjetet
racionale jo vetëm për të përmirësuar situatën
njerëzore dhe botën e jashtme, por edhe për
përmirësimin e vetes sonë, të organizmit tonë. Dhe ne
nuk jemi të kufizuar vetëm në metodat e zakonshme të
humanizmit, siç është edukimi, por ne besojmë se mund
t’i shfrytëzojmë mjetet teknologjike që eventualisht
do të na mundësojnë të shkojmë përtej asaj që
zakonisht e quajmë ‘njeri’.

Transhumanistët mendojnë se nëpërmjet ritmit të
shpejtuar të zhvillimit teknologjik dhe dijes
shkencore, ne po hyjmë në një fazë krejt të re në
historinë e llojit human. Në një të ardhme të afërme,
do të ballafaqohemi me mundësinë e krijimit të
inteligjencës së vërtetë artificiale. Do të kemi mjete
të reja kognitive (njohëse) që kombinojnë
inteligjencën artificiale me teknologjitë e reja
komunikuese.

Nanoteknologjia molekulare ka potencial për të krijuar
burime të mjaftueshme për të gjithë dhe të na japë
kontroll të plotë mbi reaksionet biokimike në trupin
tonë, duke na mundësuar eliminimin e sëmundjeve.
Nëpërmjet rimodelimit ose pasurimit farmakologjik të
qendrave tona për kënaqësi ne mund të gëzojmë një
laramani më të pasur emocionesh, lumturi jetëgjatë dhe
çaste kulmore gëzimi.

Në anën tjetër më të errët, transhumanistët e pranojnë
mundësinë që disa nga këto teknologji të ardhshme do
të mund t’i shkaktonin dëm të madh jetës njerëzore.
Madje mund të rrezikohet edhe vetë mbijetesa e llojit
tonë. Ndonëse këto janë perspektiva të skajshme, ato
merren seriozisht nga një numër në rritje i
shkencëtarëve dhe filozofëve dhe analistëve socialë me
njohuri shkencore.

Shoqata Botërore e Transhumanistëve

SHBT (WTA – World Transhumanist Association) është
themeluar më 1998 nga filozofët Nick Bostrom Ph.D. dhe
David Pearce. Qëllimi i Shoqatës Botërore të
Transhumanistëve është të mbështetë diskutimin dhe
ndërgjegjësimin e publikut për teknologjitë e reja që
janë në zhvilim e sipër; t’i mbrojë të drejtat e
individëve në shoqëritë e lira dhe demokratike që
dëshirojnë t’i adoptojnë teknologjitë për zgjerimin e
aftësive njerëzore; dhe t’i parashohin dhe të
propozojnë zgjidhje të duhura për pasojat e mundshme
të teknologjive në zhvillim. 

Posted by mrinesi on 2005/12/21 • (0) Comments
Search



This is the archive site for World Transhumanist Association content circa 1998-2009. Please see our new site at humanityplus.org.

Lingua
- Français
- Español
- Deutsch
- Suomi
- Italiano
- Russian
- more...