VLERAT TRANSHUMANISTE

VLERAT TRANSHUMANISTE - Nick Bostrom
Nick Bostrom, Oxford University, Faculty of Philosophy, 10 Merton Street, Oxford, OX1 4JJ, United Kingdom Faqja personale: http://www.nickbostrom.com/
Artikulli: http://www.nickbostrom.com/ethics/values.html

1. Ç’është Transhumanizmi?

Transhumanizmi është lëvizje intelektuale dhe kulturore që është zhvilluar gradualisht gjatë dy dekadave të fundit,[1] që përkrah rrugën interdisiplinare për t’i kuptuar dhe për t’i vlerësuar mundësitë që janë paraqitur si pasojë e përparimeve teknologjike për përmirësimin e situatës njerëzore dhe organizmit njerëzor. Vëmendje i kushtohet edhe teknologjisë së tanishme, si inxhinieria gjenetike dhe teknologjia informative, edhe atyre të ardhshme, siç janë nanoteknologjia molekulare dhe inteligjenca artificiale.

Opsionet për përmirësim përfshijnë zgjatjen rrënjësore të jetës dhe shëndetit të njeriut, çrrënjosjen e sëmundjeve, eliminimin e vuajtjeve të panevojshme, rritjen e aftësive intelektuale, fizike dhe emocionale të njeriut. Tema të tjera transhumaniste janë edhe kolonizimi i hapësirës kozmike dhe mundësia e krijimit të makinave superinteligjente, si dhe zhvillimet e tjera potenciale që do të mund ta ndryshonin thellësisht situatën njerëzore. Caqet nuk janë të kufizuara vetëm në aparate dhe mjekësi, por ngërthejnë edhe modelet ekonomike, sociale, institucionale, zhvillimet kulturore dhe shkathtësitë e teknikat psikologjike.

Transhumanistët e shohin natyrën njerëzore si punë në bërje e sipër, si projekt i pambaruar, që ne mund të mësojmë ta riformësojmë sipas dëshirës sonë. S’ka arsye të mendojmë se njerëzimi sot ka mbërritur në pikën e fundit të evolucionit. Transhumanistët shpresojnë që me përdorimin e përgjegjshëm të shkencës, teknologjisë dhe mjeteve të tjera të arsyeshme ne do të mundemi që eventualisht të bëhemi postnjerëz, qenie me kapacitete tepër më të mëdha se që i ka njeriu i sotshëm.

Disa transhumanistë marrin hapa aktivë për të rritur mundësinë që edhe personalisht të mbijetojnë aq sa për t’u bërë postnjerëz, për shembull, duke zgjedhur jetesë të shëndoshë ose duke ndërmarrë masa për mirëmbajtjen krionike të vetes së tyre në rast të deanimimit [2]. Për dallim nga botëkuptimet e tjera etike, të cilat në praktikë reflektojnë një qëndrim reaksionar ndaj teknologjive të reja, botëkuptimi transhumanist udhëhiqet nga një vizion evolues për të pasur një qëndrim më proaktiv ndaj politikave për teknologji. Ky vizion, në vija të trasha, është krijimi i mundësisë për jetë më të gjatë dhe më të shëndoshë, përmirësimi i kujtesës sonë dhe aftësive të tjera intelektuale, rafinimi i përvojave tona emocionale dhe rritja e ndjenjës sonë subjektive për mirëqenie, dhe, në përgjithësi, arritja e një shkalle më të lartë të kontrollit mbi jetën tonë. Ky afirmim i potencialit njerëzor ofrohet si alternativë ndaj rekomandimeve tradicionale për të mos bërë rolin e Zotit, për të mos
luajtur me natyrën, për të mos i futur hundët në thelbin tonë njerëzor, ose për të mos shfaqur kryelartësi të ndëshkueshme.

Transhumanizmi nuk nënkupton domosdo edhe optimizmin teknologjik. Ndonëse teknologjitë e ardhme bartin potencial të jashtëzakonshëm për përdorime të dobishme, ato gjithashtu mund të keqpërdoren për të shkaktuar dëm të madh, deri te mundësia e skajshme për të shaktuar asgjësim të jetës inteligjente. Rrjedhoja të tjera negative mund të jenë edhe zgjerimi i pabarazive sociale ose erozioni gradual i të mirave vështirë-të matshme që janë tepër të rëndësishme për ne, por të cilat priremi t’i shpërfillim në përpjekjet tona të përditshme për përfitime materiale, siç janë marrëdhëniet e kuptimshme njerëzore dhe diversiteti ekologjik. Rreziqet e tilla duhet të merren seriozisht, ashtu siç bëjnë transhumanistët e vëmendshëm.[3]

Transhumanizmi i ka rrënjët në mendimin humanist laik, ndonëse është më radikal ngase nxit jo vetëm shfrytëzimin e mjeteve tradicionale për përmirësimin e natyrës njerëzore, siç janë edukimi dhe ngritja kulturore, por edhe zbatimin e drejtëpërdrejtë të mjekësisë dhe teknologjisë për kapërcimin e disa limiteve tona themelore biologjike.

2. Limitet njerëzore

Mendimet, ndjenjat, përjetimet dhe veprimet e mundshme të organizmave njerëzorë përbëjnë, me sa duket, vetëm një pjesë të vogël të asaj që është e mundshme. Nuk ka arsye për të menduar se mënyra njerëzore e të qenit është më e lirë nga kufizimet të imponara nga natyra jonë biologjike se mënyra shtazore. Njësoj si shimpanzetë, të cilat nuk kanë aftësi njohëse për të kuptuar si është të qenit njeri – ambiciet që ne njerëzit i kemi, filozofitë tona, kompleksitetet e shoqërisë njerëzore, ose hollësitë e marëdhënieve ndërnjerëzore, ashtu edhe ne njerëzit mund të mos jemi të aftë për të formuar një të kuptuar intuitiv realist për njerëzit me përmirësime radikale (postnjerëzit) dhe për mendimet, brengat, aspiratat dhe për marrëdhëniet e mundshme shoqërore të njerëzve të tillë.

Prandaj, mënyra jonë e tanishme e të qenit është vetëm një pjesë tepër e vogël e asaj që është e mundshme ose e lejuar nga limitet fizike të universit (shih figurën 1). Nuk është joreale nëse supozojmë se ka pjesë të kësaj hapësire të madhe të së mundshmes që paraqesin forma jashtëzakonisht të vlefshme të jetesës, të raporteve, ndjenjave dhe të të menduarit.

Limitet e mënyrës njerëzore të të qenit janë aq të pranishme dhe të njohura saqë shpesh edhe nuk i vërejmë, dhe të menduarit për to kërkon që ne të shfaqim një naivitet gati fëmijëror. Le t’i shtjellojmë disa nga ato limite më bazike.

Jetëgjatësia. Për shkak të kushteve plot rreziqe në të cilat jetonin paraardhësit tanë gjatë epokës së Pleistocenit, jetëgjatësia njerëzore ka evoluar vetëm në shtatë a tetë dekada. Kjo është, nga shumë perspektiva, një periudhë e shkurtër kohore. Madje edhe breshkat jetojnë më gjatë se ne.

S’kemi nevojë të përdorim krahasime gjeologjike ose kozmologjike për të bërë të qartë varfërinë e buxhetit tonë kohor. Për të kuptuar më mirë sa sa shumë humbasim me vdekjen tonë të hershme, vetëm duhet të kujtojmë sa punë të vlefshme do të mund të bënim nëse do të kishim më shumë kohë në dispozicion. Për kopshtarët, edukatorët, dijetarët, artistët, planifikuesit e qyteteve dhe për ata që thjesht kënaqen duke soditur ose duke marrë pjesë në shfaqjet e larmishme politike ose kulturore të jetës, shtatëdhjetë ose tetëdhjetë vjet janë, shpeshherë, të pamjaftueshme për të parë përfundimin e një projekti në tërësi, e as që mund te flasim për të bërë diçka të tillë radhazi.

Edhe zhvillimi i karakterit njerëzor pengohet nga plakja dhe vdekja. Paramendoni Bethovenin dhe Gëten ende të gjallë edhe sot. Ndoshta deri më tani ata do të ishin bërë matufë që kalojnë kohën duke biseduar vetëm për të arriturat e tyre në rini. Por ndoshta, nëse do të kishin gëzuar shëndet të mirë dhe vitalitet rinor, ata do të kishin vazhduar të piqeshin si njerëz dhe artistë duke arritur nivele të paimagjinueshme të maturisë. Ne nuk mund ta përjashtojmë këtë bazuar në atë që dimë sot. Prandaj, ekziston së paku një mundësi serioze që të ketë diçka shumë të çmueshme jashtë sferës njerëzore. Kjo përbën një arsye për t’i kërkuar mjetet që do të na bëjnë të mundshme të vemi atje dhe të kuptojmë.

Aftësia intelektuale. Të gjithë kemi pasur çaste kur kemi dëshiruar të ishim më të mençur. Makina 1.5 kilogramëshe e të menduarit të cilën e bartim me vete në kafkën tonë mund t’i bëjë disa marifete të mira, por ajo ka disa të meta serioze. Të tilla janë, për shembull, harresa për të blerë qumësht ose të folurit e rrjedhshëm të gjuhëve që i mësojmë në moshë të pjekur, etj. Këto të meta janë mjaft të bezdisshme, por nuk janë edhe pengesa fundamentale për zhvillimin e njeriut.

Veç kësaj, më e rëndësishmja nga të gjitha është se aparati ynë intelektual i kufizon mënyrat dhe proceset tona të të menduarit. E përmenda më herët shembullin me shimpanzenë: ashtu si te rasti me majmunët e mëdhenj, ndoshta edhe ndërtimi ynë njohës bën të pamundshme shtresa të tëra të të kuptuarit dhe aktivitetit mental. Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë pamundësi logjike ose metafizike: ne nuk kemi nevojë të supozojmë që postnjerëzit do të jenë përtej kompjutimit Turing ose që do të kenë koncepte që nuk do të mund të shpreheshin me asnjë fjali finite në gjuhën tonë, ose diçka të ngjashme. Pamundësia për të cilën flas është më shumë si pamundësia jonë, e njerëzve sot, për të përfytyruar një hipersferë 200-dimensionale ose për të lexuar me një kujtesë dhe të kuptuar të përsosur çdo libër në Librarinë e Kongresit. Këto gjëra janë të pamundshme për ne për një arsye të tjeshte: ngase truri ynë nuk është aq i fuqishëm. Në të njëjtën mënyrë, ndoshta neve na mungon aftësia për të kuptuar
intuitivisht si do të ishte të qenit postnjeri ose të kapim fushën e veprimit dhe brengat e postnjeriut.

Veç kësaj, truri njerëzor mund të limitojë aftësitë tona për të zbuluar të vërteta filozofike dhe shkencore. Është e mundshme që dështimi i kërkimeve filozofike për të gjetur përgjigje solide dhe përgjithësisht të pranuara në pyetjet e mëdha tradicionale filozofike mund të jetë pasojë e faktit se ne nuk jemi aq të mençur për të qenë të suksesshëm në këtë lloj kërkimi. Ndoshta kufizimet tona njohëse na mbajnë brenda një shpelle platonike ku më së shumti që mund të bëjmë është të teorizojmë për “hijet”, d.m.th. për paraqitjet që janë të thjeshtëzuara aq sa për t’u përshtatur brenda trurit njerëzor.

Funksionaliteti i trupit. Ne i forcojmë sistemet tona natyrale të imunitetit duke u vaksinuar, dhe mund të marrim me mend edhe përforcime të tjera të trupit tonë që do të na mbronin nga sëmundjet ose do të na ndihmonin për të ndryshuar trupin sipas dëshirës sonë (p.sh. duke na dhënë mundësi ta kontrollojmë vetë ritmin metabolik të trupit tonë). Përforcime të tilla do ta përmirësonin kualitetin e jetës sonë.

Ekziston mundësia për përmirësime edhe më radikale nëse kemi parasysh pikëpamjen kompjutacionale të mendjes. Atëherë do të ishte e mundshme të kopjohet një mendje njerëzore në kompjuter, duke i replikuar në silic proceset e hollësishme kompjutuese që normalisht ndodhin në një tru njeriu.[4] Si mendje të elektronizuara (upload) ne do të kishim shumë përparësi potenciale, p.sh. do të mund të bënim kopje ndihmëse të vetes sonë (duke rritur shanset për jetë më të gjatë) dhe do të mund të transmetonim veten si informacion më shpejtësi drite. Si upload do të mund të jetonim në realitet virtual ose drejtpërdrejt në realitet fizik duke kontrolluar një robot ndihmës.

Modalitetet shqisore, aftësitë dhe ndjesitë e posaçme. Modalitetet e tanishme shqisore të njeriut nuk janë maksimumi, dhe ato, pa dyshim, nuk janë të zhvilluara aq sa është e mundshme. Disa kafshë kanë orientim zanor, magnetik, ose sensorë për elektricitet dhe vibrim; shumë prej tyre kanë shqisë tepër më të mprehtë të të nuhaturit, ose të parë më të mprehtë etj. Gama e modaliteteve të mundshme shqisore nuk është e kufizuar në ato që i gjejmë në botën shtazore. Nuk ekziston asnjë pengesë fundamentale për të shtuar, për shembull, aftësinë për të parë rrezatimin infra të kuq ose për të përkapur radio-sinjale dhe ndoshta për të shtuar ndonjë shqisë telepatike duke i përforcuar trurët tanë me radio-përçuesë të përshtatshëm nëpërmjet të cilëve do të mund të kontaktonim drejtpërdrejt me njeri-tjetrin.

Njerëzit kanë edhe aftësi të tjera të posaçme, si aftësinë për të kuptuar muzikën dhe sens për humor, dëshirën për seks si përgjigje ndaj stimujve erotikë. Prandaj, e përsëris, nuk ka ndonjë arsye të mendojmë se kemi sosur të gjitha mundësitë, dhe ne mund të paramendojmë edhe nivele më të larta të ndjesive dhe aftësive.

Humori, energjia, dhe vetëpërmbajtja. Edhe përkundër përpjekjeve tona më të mira ne shpesh nuk arrijmë të ndihemi të lumtur aq sa do të dëshironim. Nivelet tona kronike të mirëqenies subjektive duket të jenë, në masë të madhe, të determinuara gjenetikisht. Ngjarjet jetësore kanë pak ndikim afatgjatë; jemi nën mëshirën e baticave dhe zbaticave të fatit, ndërsa mirëqenia e vetëkrijuar nuk është jetëgjatë. Lumturia e qëndrueshme mbetet e paarritshme, përveç për ata që kanë pasur fat të lindin me një temperament që luan rol vendimtar në jetën e tyre.

Mirëqenia jonë është në mëshirën e parametrave determinues gjenetikë, por ne edhe jemi të kufizuar sa i përket energjisë, vullnetit dhe aftësisë për të formësuar karakterin tonë në përputhje me idealet tona. Edhe qëllimet e “thjeshta” si humbja e peshës ose lënia e duhanit duken të pamundshme për shumë veta.

Disa probleme të tilla mund të jenë të domosdoshme dhe jo rrjedhojë e natyrës sonë të tashme. Për shembull, ne nuk mund të kemi edhe aftësi për të mënjanuar ndonjë zakon nga sjellja jonë, edhe aftësi për të formuar zakone stabile. (Në këtë kuptim, më e mira e së mirës do të ishte aftësia që t’i heqim lehtë ato zakone që nuk i kemi zgjedhur qëllimisht per veten tonë, dhe ndoshta një sistem më të zhdërvjellët për formim zakonesh që do të na lejonte të zgjedhim më me saktësi kur të fitojmë një zakon dhe sa mund do të duhej për ta prishur atë.)

3. Vlera thelbësore transhumaniste: explorimi i sferës posthumane

Supozimi se ka vlera më të mëdha se ato që ne mund t’i kapim me mend tani nuk do të thotë se vlerat nuk janë të definuara në suaza të prirjeve tona të tanishme. Ta marrim, për shembull, teorinë e vlerave të bazuar në prirjet, të përshkruar nga David Lewis. [5] Sipas teorise së Lewis-it, një gjë është e vlefshme për ju vetëm nëse do të donit ta dëshironit atë gjë duke pasur njohuri të përsosur për të dhe duke e peshuar në mendje sa më shumë që është e mundshme. Sipas kësaj pikëpamjeje, mund të ketë vlera që ne tani për tani nuk i dëshirojmë, dhe as nuk duam t’i dëshirojmë, sepse ndoshta nuk i njohim ato me përsosuri ose nuk jemi analizues idealë. Disa vlera që lidhen me forma të caktuara të ekzistencës posthumane mund t’i takojnë këtij lloji; ato mund të jenë vlera për ne sot, dhe mund të jenë të atilla për shkak të prirjeve tona të tanishme, dhe, megjithatë, ne ndoshta nuk jemi të aftë për të kuptuar vlerën e tyre të plotë me fuqitë tona të kufizuara të analizës dhe në mungesë të
aftësive shqisore për t’i njohur ato në tërësi. Kjo pikë është e rëndësishme ngase tregon se pikëpamja transhumaniste se ne duhet të eksplorojmë sferën e vlerave posthumane nuk nënkupton edhe braktisjen e vlerave tona të tashme. Vlerat posthumane mund të jenë vlera tona të tashme, por që nuk i kemi kuptuar më qartësisht. Transhumanizmi nuk kërkon që ne t’i parapëlqejmë qeniet posthumane më shumë se njerëzit. Sipas transhumanizmit mënyra e saktë për favorizimin e njerëzve është ajo që na mundëson t’i realizojmë idealet tona më mirë, duke pasur parasysh se disa nga idealet tona mund të ndodhen jashtë hapësirës së mënyrave të të qenit që janë të mundshme për ne me ndërtimin e sotëm biologjik.

Ne mund t’i kapërcejmë shumë nga limitet tona biologjike. Është e mundshme se ekzistojnë limite që janë të pakapërcyeshme, jo vetëm për shkak të vështirësive teknologjike, por edhe për arsye metafizike. Varësisht nga opinionet tona për kuptimin e identitetit personal, ka të ngjarë që disa mënyra të caktuara të të qenit janë të pamundshme për ne, sepse çdo qenie e tillë do të ishte aq e ndryshme nga ne saqë nuk do të ishte ne fare. Brenga të tilla janë të njohura në diskutimet teologjike mbi jetën pas vdekjes. Në teologjinë e krishterë disa shpirtra do të lejohen të hyjnë në parajsë pasi kanë përfunduar jetën e tyre si krijesa trupore. Para pranimit të tyre në parajsë shpirtrat do të kalojnë nëpër një proces pastrimi gjatë të cilit do të humbin shumë cilësi të mëparshme trupore. Skeptikët do të mund të thoshin se një njeri me mendje të tillë të ndryshuar nuk mund të jetë i njëjti person. Një problem i tillë paraqitet edhe brenda transhumanizmit: nëse modusi i të qenit i një qenieje
posthumane është radikalisht i ndryshëm nga ai i njeriut, atëherë shtrohet pyetja: A është një qenie posthumane po ai i njëjti person që ishte para transformimit në postnjeri, edhe nëse ky postnjeri ka filluar nga njeriu?

Megjithëkëtë, ne mund ta paramendojmë një njeri të transformuar dhe të përmirësuar, pra një postnjeri që është, njëkohësisht, i njëjti person si ai para transformimit. Një person do të mund të fitonte në jetëgjatësi, inteligjencë, shëndet, kujtesë dhe ndjeshmëri emocionale dhe të mbetet i njëjti person gjatë këtij procesi. Jeta intelektuale e një personi mund të transformohet rrënjësisht me arsimimin e tij. Jetëgjatësia e një njeriu mund të rritet në mënyrë të konsiderueshme me t’u shëruar nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. Por këto zhvillime nuk paraqesin edhe fundin definitiv të personit origjinar. Veçanërisht kur duket se ndryshimet që i përforcojnë aftësitë e njeriut mund të jenë më substanciale se modifikimet që i zvogëlojnë ato, siç është dëmtimi i trurit. Nëse do të ruheshin shumica e kujtimeve të rëndësishme, të aktiviteteve dhe ndjenjave të një personi, atëherë shtimi i aftësive të tjera përforcuese nuk do të bënte që ky person të mos ekzistojë më.

Ruajtja e identitetit personal, posaçërisht nëse këtij nocioni i jepet një kuptim i ngushtë, nuk do të thotë gjithçka. Ne mund të çmojmë gjëra të tjera përveç vetes, ose mund ta konsiderojmë të pëlqyeshme nëse disa pjesë ose aspekte të vetes sonë mbijetojnë dhe zhvillohen, edhe nëse kjo do të thoshte të heqim dorë nga disa pjesë të vetes sonë dhe, si rrjedhojë, të mos llogariteshim më si i njëjti person. Nuk është e qartë se cilat pjesë të vetes sonë do të ishim të gatshëm t’i flijonim pa u njohur plotësisht me kuptimin e plotë të opsioneve. Studimi i kujdesshëm dhe i vazhdueshëm i sferës postnjerëzore mund të jetë qenësor për të pasur një të kuptuar të tillë, edhe pse ne do të mund të mësonim nga përvojat e njëri-tjetrit dhe nga veprat e imagjinatës.

Për më tepër, ne do të mund të pëlqenim që njerëzit e ardhshëm të jenë postnjerëz nëse ata do të bënin jetë më të dobishme se njerëzit e tjerë. Çfarëdo arsye që rrjedhin nga vlerësimet e tilla nuk do të vareshin në supozimin se edhe ne vetë do të bëheshim qenie posthumane.

Transhumanizmi mbështet kërkimin për zhvillim të vazhdueshëm me qëllim të hulumtimimt të sferave të paarritshme të vlerave. Përmirësimet teknologjike të organizmave njerëzorë janë mjet për realizimin e këtij qëllimi. Ekzistojnë kufizime për gjithë atë që mund të arrihet nëpërmjet mjeteve me teknologji të ulët siç janë arsimimi, përsiatja filozofike, vetëanaliza morale dhe me metoda të tjera të ngjashme të propozuara nga filozofë klasikë me prirje perfeksioniste, si Platoni, Aristoteli dhe Niçeja, ose duke krijuar shoqëri më të drejta dhe më të mira bazuar në vizionet e Marksit ose Martin Luter Kingut. Me këtë nuk duam t’i përçmojmë mjetet e sotme dhe gjithë atë që mund të arrijmë me to. Megjithatë, transhumanistët shpresojnë të shkojnë më larg.

4. Kushtet themelore për realizimin e projektit transhumanist

Nëse ky është vizioni madhor, cilat janë objektivat më të veçanta kur e konsiderojmë si linjë veprimi?

Për realizimin e ëndrrës transhumaniste është e domosdoshme që mjetet teknologjike të nevojshme për të marrë në sy hapësirën posthumane të jenë në dispozicion për ata që duan t’i shfrytëzojnë ato, dhe që shoqëria të organizohet ashtu që hulumtimet e tilla do të mund të bëheshin pa shkaktuar dëme të papranueshme ndaj strukturës shoqërore dhe pa imponuar rreziqe të papranueshme ekzistenciale.

Siguria globale. Ndonëse katastrofat dhe dështimet janë të paevitueshme gjatë zbatimit të projektit transhumanist (siç do të ishin nëse nuk do të synohej projekti transhumanist), është një lloj katastrofe që duhet të shmanget me çdo kusht:

Rreziku ekzistencial – pasojat e të cilit do të shkaktonin agjësimin e jetës inteligjente në Tokë ose do ta dëmtonin në mënyrë drastike potencialin e saj.

Disa diskutime kanë argumentuar se mundësia e kombinuar e rrezikut ekzistencial është shumë e lartë. [7] Rëndësia e kushtit për siguri ekzistenciale është evidente në vizionin transhumanist: nëse asgjësohemi ose e shkatërrojmë përgjithmonë potencialin tonë për t’u zhvilluar pandërprerë, atëherë vlera themelore transhumaniste nuk do të realizohet. Siguria globale është kërkesa me fundamentale dhe e panegociueshme e projektit transhumanist.

Përparimi teknologjik. Tanimë është e qartë sa i dëshirueshëm është progresi teknologjik nga këndvështrimi transhumanist. Shumë nga të metat tona biologjike (plakja, sëmundja, kujtesa dhe intelekti i dobët, repertoari i kufizuar emocional dhe kapaciteti i pamjaftueshëm për mirëqenie të gjatë personale) janë vështirë për t’u mposhtur, dhe për ta bërë këtë do të duhen mjete të avancuara. Zhvillimi i këtyre mjeteve është sfidë e jashtëzakonshme për aftësitë problemzgjedhëse të llojit tonë. Meqë përparimi teknologjik është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin ekonomik, rritja ekonomike – ose, më saktësisht, rritja e produktivitetit – mund të shpjerë në disa raste te progresi teknologjik. (Rritja e produktivitetit është, natyrisht, vetëm masë e papërsosur e formës relevante të progresit teknologjik, i cili, në anën tjetër, është masë e papërsosur e përparimit të përgjithshëm, pasi që nuk i merr parasysh faktorët si barazia në treg, diversiteti ekologjik, dhe kualiteti i
marrëdhënieve njerëzore.)

Historia e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, dhe rritja shoqëruese e civilizimit, shikohet me të drejtë si e arritura më e madhe e njerëzimit. Falë akumulimit gradual të përparimeve gjatë mijëvjeqarëve të kaluar, pjesë të mëdha të njerëzimit janë liruar nga analfabetizmi, jetëgjatësia e shkurtër, nga shkalla tepër e lartë e vdekshmërisë së foshnjeve, nga sëmundjet e tmerrshme të përballuara pa mjete lehtësuese, dhe nga vdekjet periodike nga uria, si dhe nga mungesa e ujit. Teknologjia, në këtë kuptim, nuk është vetëm alete dhe aparate, por përfshin të gjitha objektet dhe sistemet e dobishme që janë krijuar qëllimisht. Ky përkufizim i gjerë ngërthen praktikat dhe institucionet, si kontabiliteti, referimi shkencor (recensioni i shkrimeve shkencore nga ekspertë të lëmit përkatës para botimit të tyre përfundimtar, sh.p.), sistemet ligjore, dhe shkencat e aplikuara.

Aksesi i gjerë. Nuk mjafton që sfera posthumane të eksplorohet vetëm nga një grup njerëzish. Për realizimin e plotë të vlerës thelbësore transhumaniste nevojitet që, idealisht, gjithkujt t’i jepet shansi për t’u bërë postnjeri. Do të ishte sub-optimale sikur mundësia për t’u bërë postnjeri do të kufizohej për një elitë të vogël.

Ka shumë arsye për të mbeshtetur aksesin e gjerë. Në këtë mënyrë do të zvogëlohej pabarazia; do të shprehej solidariteti dhe respekti për të gjithë njerëzit; do të ndihmohej përpjekja për të fituar përkrahje për projektin transhumanist; do të rritej mundësia që edhe ju të keni shans për t’u bërë postnjeri; do të rritej mundësia që edhe të dashurit tuaj të bëhen postnjerëz; ndoshta kjo do të zmadhonte hapësirën për hulumtimin e sferës posthumane. Sa më shpejt që zhvillohet kjo teknologji, aq më pak njerëz do të vdesin pa akses.

Mendoje një rast hipotetik në të cilin ekzistojnë dy zgjedhje (a) të lejohet që popullsia e tashme njerëzore të vazhdojë të ekzistojë, dhe (b) të asgjësohet menjëherë, pa dhimbje, dhe të zëvendësohet me gjashtë miliardë njerëz të rinj që janë shumë të ngjashëm por jo edhe identikë me njerëzit që ekzistojnë sot. Një zëvendësim i tillë duhet të kundërshtohet fuqimisht për arsye morale, ngase do të thotë vdekje e pavullnetshme për gjashtë miliardë njerëz. Fakti se do të zëvendësoheshin me gjashtë miliardë njerëz të ngjashëm të porsakrijuar nuk e bën këtë zëvendësim të pranueshëm. Njerëzit nuk janë gjëra për t’u hedhur. Për arsye të njëjta, është e rëndësishme që shansi për t’u bërë postnjeri t’i mundësohet sa më shumë njerëzve, në vend se popullata e tashme të plotësohet (ose, edhe më keq, të zëvendësohet) me një strukturë të re njerëzish posthumanë. Ideali transhumanist do të realizohej maksimalisht vetëm nëse dobitë e teknologjisë janë në dispozicion gjerësisht dhe sa më shpejt që
është e mundshme, mundësisht gjatë jetës sonë.

5. Vlerat rrjedhimore

Nga këto kërkesa specifike burojnë një numër vlerash rrjedhimore transhumaniste që e përkthejnë vizionin transhumanist në vepër. (Disa nga këto vlera mund të kenë edhe arsyetime të pavarura, dhe nga këndvështrimi transhumanist nuk do të thotë se lista e vlerave të cekura më poshtë është e plotë.)

Fillimisht, transhumanistët janë të zëshëm posaçërisht kur janë në pyejtje liria individuale dhe zgjedhja individuale në lëmin e teknologjive përmirësuese. Njerëzit kanë koncepte shumë të ndryshme për përsosjen ose përmirësimin e vetes së tyre. Disa duan të zhvillohen në një drejtim, të tjerët në ndonjë drejtim të dytë, dhe disa dëshirojnë të mbesin ashtu siç janë. Do të ishte moralisht e papranueshme që dikush të imponojë një standard të vetëm dhe gjithë të tjerët t’i nënshtrohen detyrimisht. Njerëzit duhet të kenë të drejtë të zgjedhin nëse duan t’i shfrytëzojnë ose jo teknologjitë përmirësuese. Në rastet kur zgjedhjet individuale kanë ndikim të konsiderueshëm mbi njerëzit e tjerë, atëherë ky parim i përgjithshëm duhet të kufizohet, por fakti se dikush mund të ndiejë neveri ose të jetë i fyer nëse ndonjë njeri do të shfrytëzonte teknologjinë për të ndryshuar veten, nuk është bazë legjitime për ndërhyrje të dhunshme. Veç kësaj, historia e keqe e përpjekjeve të centralizuara për të
krijuar njerëz më të mirë (p.sh. lëvizja eugjenike dhe totalitarizmi sovjetik) tregon se duhet të jemi të kujdesshëm ndaj vendimmarrjeve kolektive në lëmin e modifikimit njerëzor.

Një prioritet tjetër transhumanist është ngritja e vetes sonë në një pozitë më të mirë për të bërë zgjedhje të mençura për hapat tanë të ardhshëm. Do të na duhet urtësi e madhe gjatë tranzicionit posthuman. Transhumanistët i japin një rëndësi të madhe përmirësimit të fuqive tona individuale dhe kolektive të të kuptuarit dhe të aftësive tona për të zbatuar vendime të përgjegjshme. Kolektivisht, ne mund të bëhemi më të mençur dhe më të informuar nëpërmjet mjeteve të hulumtimit shkencor, debatit publik dhe diskutimit të hapur të ardhmënisë, dhe tregut të informacionit[8], filtrimit bashkëpunues të informacionit[9]. Në shkallë individuale, ne mund të përfitojmë nga edukimi, të menduarit kritik, mendësia receptive dhe dëshira për t’i zgjeruar horizontet, teknikat e studimit, teknologjia informative, dhe ndoshta nga barnat për përforcim të kujtesës dhe përqendrimit dhe nga teknologji të tjera për zgjerim të aftësive njohëse. Aftësia jonë për të zbatuar vendime të përgjegjshme mund të
përmirësohet duke zgjeruar sundimin e ligjit dhe demokracinë në rrafshin ndërkombëtar. Veç kësaj, inteligjenca artificiale, posaçërisht nëse arrin nivelin njerëzor ose e kalon atë, mund të jetë infuzion i madh në kërkimet tona për dije dhe urtësi.

Duke i marrë parasysh kufizimet tona të mençurisë, do të ishte më e përshtatshme të kemi një druajtje epistemike, së bashku me gatishmërinë për t’i rivlerësuar vazhdimisht supozimet tona sa herë që mësojmë informata të reja. Ne nuk mund të pretendojmë se zakonet dhe besimet tona të vjetra do të tregohen të përshtatshme për të na drejtuar në rrethanat e reja.

Siguria globale mund të përmirësohet duke përkrahur paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, dhe duke kundërshtuar zgjerimin e armëve për shkatërrim masiv. Përmirësimet në teknologjinë e vëzhgimit do ta bënin më të lehtë zbulimin e programve të fshehura ushtarake. Ndoshta do të nevojiteshin edhe masa të tjera sigurie për t’i luftuar rreziqet e ndryshme ekzistenciale. Më tepër studime mbi këto rreziqe do të na ndihmonin për të kuptuar më mirë kërcënimet e ardhshme afatgjatë kundër progresit njerëzor dhe mënyrat për t’i zvogëluar ato.

Pasi për të njëmendësuar vizionin transhumanist është i domosdoshëm zhvillimi teknologjik, atëherë duhet të nxitet dhe të përkrahet sipërmarrja e guximshme, fryma e shkencës dhe inxhinierisë. Shikuar në përgjithësi, transhumanistët parapëlqejnë qëndrimin pragmatik dhe trajtimin konstruktiv, problemzgjedhës të sfidave, duke preferuar metodat që, bazuar në përvojat tona, na japin rezultate më të mira. Ata mendojnë se është më mirë nëse ndërmarrim iniciativa për t’i ndryshuar gjërat, sepse nuk mjafton vetëm ankimi dhe qëndrimi duarkryq. Në këtë kuptim transhumanizmi është optimist. (Ai nuk është optimist duke e mbrojtur me çdo kusht besimin për mundësinë e suksesit ose në kuptimin e optimizmit naiv duke zbuluar arsyetime për të metat e status kuosë.)

Transhumanizmi përkrah mirëqenien e çdo qenieje sentiente (që mund të përjetojë ndjenja fizike ose emocionale), qoftë ajo intelekt artificial, njeri ose kafshë jonjerëzore (duke përfshirë edhe speciet jashtëtokësore, nëse ekzistojnë). Racizmi, seksizmi, specieizmi, nacionalizmi luftënxitës dhe intoleranca fetare janë të papranueshme. Përveç arsyeve të zakonshme për t’i dënuar këto praktika, ekziston edhe një motivacion i posaçëm transhumanist për këtë. Në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për kohën kur lloji njerëzor do të fillojë të degëzohet në drejtime të ndryshme, ne duhet të nisim qysh tash të përkrahim fuqimisht zhvillimin e ndjenjave morale për të ngërthyer brenda sferës së brengave morale edhe gjallesat që janë të ndërtuara ndryshe nga ne.

Dhe në fund, transhumanizmi thekson urgjencën morale për shpëtimin e jetërave, ose, më saktësisht, për të parandaluar vdekjet e padëshirueshme të njerëzve jeta e të cilëve vlen të jetohet. Në botën e zhvilluar, plakja është tani për tani vrasësi numër një. Plakja është gjithashtu shkaktari kryesor i sëmundjeve, paaftësive dhe dobësisë mendore. (Edhe nëse kanceri dhe sëmundjet e zemrës do të shëroheshin plotësisht, jeta do të zgjatej vetëm për gjashtë ose shtatë vjet.) Prandaj, mjekësia kundër plakjes është prioritet kyq transhumanist. Qëllimi është, natyrisht, të zgjatet rrënjësisht jetëgjatësia e shëndoshë, jo vetëm të shtohet numri i vjetve të jetuar lidhur për ventilator okigjeni në fund të jetës.

Pasi jemi mjaft larg nga mundësia për të ndalur ose për të prapakthyer plakjen, mbajtja krionike e të vdekurve duhet t’u mundësohet si opsion atyre që dëshirojnë. Ka gjasa që teknologjitë e së ardhmes do ta bëjnë të mundshme ringjalljen e njerëzve që janë ruajtur në mënyrë krionike.[10] Ndonëse krionika nuk është opsion qindpërqind i sigurt, ofron shans më të madh se djegia ose varrimi.

Tabela 2 më poshtë i përmbledh vlerat transhumaniste që i kemi diskutuar.

TABELA E VLERAVE TRANSHUMANISTE

Vlera thelbësore
*Mundësia për t’i eksploruar sferat transhumane dhe posthumane

Kushtet themelore
*Siguria globale
*Përparimi teknologjik
*Aksesi i gjerë

Vlerat rrjedhimore
*S’ka asgjë të keqe nëse “përzihemi në punët e zotit”; ideja e arrogancës refuzohet.
*Zgjedhja individuale në shfrytëzimin e teknologjive përmirësuese; liri morfologjike
*Paqe, bashkëpunim ndërkombëtar, moszgjerimi i armëve për shkatërrim masiv
*Shtimi i mirëkuptimit (përkrahja e hulumtimeve dhe debatit publik; mendimit kritik; mendësisë receptive, kërkimit shkencor; diskutimit të hapur mbi të ardhmen)
*Dëshira për t’u bërë më i mençur (individualisht; kolektivisht; dhe zhvillimi i makinave inteligjente)
*Gabueshmëria filozofike; gatishmëria për t’i rishqyrtuar gjithmonë supozimet tona
*Pragmatizmi; shpirti ndërmarrës; inxhinieria, shkenca
*Diversiteti (llojet, racat, besimet fetare, orientimet seksuale, stilet e jetesës etj.)
*Brengosja për mirëqenien e çdo gjallese
*Shpëtimi i jetës (zgjatja e jetës, kërkimet shkencore kundër plakjes, dhe krionika)

Referencat

Bostrom, N. (2002). “Existential Risks: Analyzing Human Extinction Scenarios and Related Hazards.” Journal of Evolution and Technology, 9.
Bostrom, N. (2003). “Human Genetic Enhancements: A Transhumanist Perspective.” Journal of Value Inquiry, Forthcoming.
Bostrom, N., et al. (1999). The Transhumanist FAQ. http://www.transhumanism.org/resources/faq.html
Chislenko, A. (1997). Automated Collaborative Filtering and Semantic Transports. http://www.lucifer.com/~sasha/articles/ACF.html</a>
Drexler, K. E. Engines of Creation: The Coming Era of Nanotechnology. (Anchor Books: New York, 1986).
Ettinger, R. The Prospect of Immortality. (Doubleday: New York, 1964).
Hanson, R. (1995). “Could Gambling Save Science? Encouraging an Honest Consensus.” Social Epistemology, 9:1: 3-33.
Hughes, J. (2001). “The Future of Death: Cryonics and the Telos of Liberal Individualism.” Journal of Evolution and Technology, 6.
Leslie, J. The End of the World: The Science and Ethics of Human Extinction. (Routledge: London, 1996).
Lewis, D. (1989). “Dispositional Theories of Value.” Proceedings of the Aristotelian Society Supp., 63: 113-37.
Merkle, R. (1994). “The Molecular Repair of the Brain.” Cryonics, 15(1 and 2).
Moravec, H. Mind Children. (Harvard University Press: Harvard, 1989).
Rees, M. Our Final Hour: A Scientist’s Warning. (Basic Books: New York, 2003).
Notes
[1] (Bostrom et al. 1999; Bostrom 2003) [2] (Ettinger 1964; Hughes 2001) [3] (Bostrom 2002) [4] (Drexler 1986; Moravec 1989) [5] (Lewis 1989) [6] (Bostrom 2002) [7] (Leslie 1996; Bostrom 2002; Rees 2003) [8] (Hanson 1995) [9] (Chislenko 1997) [10] (Ettinger 1964; Drexler 1986; Merkle 1994)
Perktheu: Arlind Boshnjaku

Posted by mrinesi on 2006/01/14 • (0) Comments
Search



This is the archive site for World Transhumanist Association content circa 1998-2009. Please see our new site at humanityplus.org.

Lingua
- Français
- Español
- Deutsch
- Suomi
- Italiano
- Russian
- more...